Institucioni i noterisë në vendin tonë daton në një periudhe shumë të hershme në vitet 1210. Në qytetet shqiptarë të mesjetës shërbenin një numër i konsiderueshëm noterësh, sidomos në Durrës , të cilët ishin organizuar në esnafe.
Noterët shqiptarë , për shkak të traditave të vjetra bizantine ishin të njohur në shek. XIV-XV edhe jashtë kufijve të vendit.
Për ta kishte kërkesa si noterë dhe kancelarë në brigjet e Dalmacisë , si në Raguzë e gjetkë’’.
Gjuha e akteve noteriale ishte greqishtja dhe latinishtja si gjuhë kulture të kohës.
Noteri ishte vetëm hartuesi i akit noterial dhe një nga dëshmitarët që e firmoste atë.
Përveç noterit , aktin noterial e nënshkruanin edhe dy dëshmitarë të tjerë që vërtetonin përmbajtjen e tij.
Aktet noteriale bëheshin me shpërblim dhe përbënin një burim të mirë të ardhurash për esnafin e noterëve.
Gjatë sundimit venedikas , kancelarët e rektorëve i ndaluan noterët vendas të ushtronin mjeshtërinë e tyre në mënyrë që të përvetësonin ato vetë të ardhurat përkatëse. Kjo solli protestën e qytetarëve të Drishtit në vitin 1393 dhe të Durrësit në vitin 1401 pranë Senatit të Venedikut , i cili , krahas noterëve venedikas , u detyrua të lejonte edhe noterët vendas të hartonin akte noteriale.
Ligji i parë për noterinë u adaptua me kodin civil të vitit 1929 të hartuar nga mbreti Zog bazuar në kodin e Napolonit.
Noteria shqiptare si një shërbim privat e publik që kryen veprimtari juridike për personat fizikë dhe juridikë , shqiptarë dhe të huaj në përputhje të plotë me kushtetutën legjislacionin në fuqi dhe konventat ndërkombëtare , me ndihmën e Këshillit të Europës u përcaktua dhe filloi të funksionojë në bazë të Ligjit Nr. 7829 datë 1.6.1994.
Ky ligj i njohu noterëve të drejtën për tu organizuar si organizëm i pavarur vetëqeverisës dhe të ushtrojë aktivitet si person juridik.
Në bazë të strukturave të pranuara nga ligji dhe statuti i saj , të përcaktuara dhe në statutin e Unionit Ndërkombëtar Latin ku Dhoma Kombëtare e Noterisë e Shqipërisë aderon që prej Majit të vitit 1995 institucioni ynë i noterisë u organizua në 6 dhoma noterie në bazë zonale dhe gjithashtu u organizua Dhoma Kombëtare e Noterisë sipas statutit të miratuar.